Telegrafi

Tuchel ua jep meritat lojtarëve: Fitorja ndaj Tottenham nuk ishte çështje e taktikave të mia

(Foto: Twitter/Chelsea FC)

Thomas Tuchel nuk i ka marrë meritat për fitoren e Chelsean ndaj Tottenham Hotspur në derbin e të enjtes mbrëma në Londër.

Trajneri i ri i Bluve ka zgjedhur t’i lavdërojë lojtarët e tij për vendosmërinë për të nxjerrë rezultat pozitiv në triumfin prej 1-0.

Prej se mori drejtimin e skuadrës pas shkarkimit të Frank Lampard, strategu gjerman ka regjistruar një barazim dhe dy fitore.

“Nuk është çështje e metodave të mia. Jam i kënaqur me qasjen, skuadrën, potencialin. Janë djem të mirë, është një grup i mirë dhe janë të hapur”.

“Është kënaqësi të jem rreth tyre. Kemi mbështetje të madhe në gjithë klubin. Ishte një fillim i shpejtë, por i lehtë, sepse ndihem shumë i mirëpritur. U mbrojtëm aktivisht dhe ishim të guximshëm”, ka thënë Tuchel në konferencën pas ndeshjes.

Chelsea kaloi në epërsi me golin e Jorginhos nga pika e bardhë dhe e mbajti këtë avantazh deri në fund të takimit. /Telegrafi/