Site icon Telegrafi

Tuchel tregon pse nuk e aktivizoi Wernerin, por i bën një premtim të madh sulmuesit gjerman

Timo Werner është njëri nga transferimet më të bujshme të Chelseat në afatin kalimtar të verës.

Por sulmuesi gjerman pas një fillimi të mirë nuk ka arritur të tregojë klasin e tij, duke kaluar 11 ndeshje në kampionat pa shënuar gol.

Chelsea ndërroi trajner dhe tani skuadra udhëhiqet nga gjermani Thomas Tuchel, i cili në ndeshjen debutuese të tij ndaj Wolverhampton(0-0) e la në bankë bashkëkombësin e tij.

Tuchel ka dhënë arsyen pse nuk e aktivizoi Wernerin në këtë takim, duke thënë se sulmuesi nuk po kalon një moment të mirë.

“Arsyeja që nuk e përdora Wernerin të mërkurën është se ai është pak i mërzitur me gjendjen që po kalon dhe ka shumë peshë mbi supet e tij”, deklaroi Tuchel.

Trajneri gjerman thotë se qëllimi i tij është që t’ia rikthejë vetëbesimin Wernerit dhe ta bëjë përsëri që të qesh.

“Tani për tani e rëndësishme është që t’ia rikthejmë vetëbesimin atij dhe ta shohim fytyrën e Timos duke qeshur përsëri”.

“Detyra ime është ta ndihmojë atë që ta rikthejë vetëbesimin dhe pastaj do të shohim për të gjetur pozitën më të mirë ku mund ta përdorim atë”, ka deklaruar Tuchel.

Werner këtë edicion ka zhvilluar 28 ndeshje në të gjitha garat me Chelsean, ku ka shënuar nëntë gola dhe ka dhuruar gjashtë asistime. /Telegrafi/

Exit mobile version