Trajneri i Paris Saint-Germainit, Thomas Tuchel, nuk e ka treguar pozitën ku do të luajë Neymari në ndeshjen e Ligës së Kampionëve kundër Liverpoolit.
Përballja e parë në Grupin C zhvillohet sonte (e martë) në Anfiled dhe është ndeshja kryesore e këtij grupi.
Strategu i Redsave, Jurgen Klopp, tashmë ka folur se sa e rëndësishme do të jetë për skuadrën e tij që ta ndalë sulmuesin brazilian që të mos pranojë topa.
Në ndërkohë, trajneri i PSG-së e ka mbajtur të fshehtë planin e tij se ku do ta vendosë 26-vjeçarin në fushë.
Deri më tani këtë sezon, Neymar ka luajtur në pozitën e numrit 10, si qendërsulmues dhe anësor i majtë. Ai pritet që të luajë në njërën prej këtyre tri pozitave, ndërsa vendimin do ta marrë Tuchel.
Trajneri ka konfirmuar se braziliani do të luajë kundër Liverpoolit, por ka refuzuar ta tregojë pozitën.
“Nuk do ta them, natyrisht. Ajo që është e sigurt është se ai do të luajë, por në cilin rol, nuk do ta them”, ka thënë strategu gjerman. /Telegrafi/