Site icon Telegrafi

Tuchel i gatshëm ta sjellë Mbappen në Bayern me biçikletën e tij

Thomas Tuchel ka folur për mundësinë e një ribashkimi me superyllin e Paris Saint-Germain, Kylian Mbappe, tek Bayern Munich sezonin e ardhshëm.

Superylli francez, i cili ende nuk ka nënshkruar një kontratë të re me PSG, ka të ngjarë të largohet nga gjigantët e Ligue 1 si agjent i lirë verën e ardhshme. Ndërsa destinacioni i tij i ardhshëm ende nuk është zbuluar, ish-trajneri i Mbappes në PSG ka sugjeruar se ai do të ishte i lumtur të ribashkohej me francezin.

Real Madridi është konsideruar si destinacioni më i mundshëm për Mbappe, por Tuchel ka bërë shaka se është gati ta bindë sulmuesin që të shkojë në Allianz Arena.

“Mbappe i lirë vitin e ardhshëm? Po, ai do të luajë për ne. Kylian është Kylian, ai është shumë inteligjent. Ne kishim një marrëdhënie të mirë. Nëse ai dëshiron të vijë në Bayern, unë do të shkoj ta marr vetë me biçikletë, kur ai dëshiron diçka, ai e merr atë”, ka thënë Tuchel në një intervistë për Canal+.

24-vjeçari ka qenë objektivi kryesor i Real Madridit në dy vitet e fundit, por sipas një raporti të fundit nga mediumi spanjoll Cadena SER , Los Blancos tani kanë vendosur t’i japin fund interesimit të tyre për fituesin e Kupës së Botës, e cila e lë të hapur derën për Bayernin.

Mbappe do të rikthehet përsëri në aksion për kombëtaren franceze teksa ata përgatiten të përballen me Gjibraltarin në një ndeshje kualifikuese për Euro 2024 më 18 nëntor./Telegrafi/

Exit mobile version