Telegrafi

Tuchel dhe Conte mësojnë dënimet nga FA, gjermani e pëson më keq

Trajnerët e Chelseat dhe Tottenhamit, Thomas Tuchel dhe Antonio Conte, mësuan për dënimet e tyre pas një sërë incidentesh të ndodhura gjatë ndeshjes në xhiron e dytë të Ligës Premier.

Përplasjet mes Tuchel dhe Conte shënuan derbin e madh londinez mes Chelsea dhe Tottenham që u luajt fundjavën e kaluar e u mbyll 2-2, dhe në fund pati edhe një incident të vogël fizik gjatë një shtrëngimi duarsh.

Prandaj, Federata e Futbollit të Anglisë (FA) vendosi dënime për dy trajnerët e famshëm. Thomas Tuchel u gjobit me 35,000 funte, ndërsa Antonio Conte u gjobit me 15,000 funte.

Gjithashtu, Tuchel fitoi një suspendim me një ndeshje. Megjithatë, gjermani ka të drejtë ankimimi, ndaj do të drejtojë ekipin e tij ndaj Leeds në fundjavë dhe ende nuk dihet se kur do ta kryejë ndeshjen e pezullimit.

Kujtojmë se Tuchel dhe Conte janë përfshirë në një sërë debatesh gjatë derbit të zjarrtë. Ata janë grindur në disa raste, kanë marrë karton të verdhë gjatë ndeshjes dhe më pas karton të kuq pas përfundimit të ndeshjes. /Telegrafi/