Kryetari i Qeverisë së Greqisë, Alexis Tsipras, në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin e Maqedonisë pas takimit në Davos që ka zgjatur thuajse tre orë paralajmëroi se procesi i negociatave po i afrohet fundit dhe theksoi se zgjidhja e përbashkët duhet të jetë erga omnes, gjegjësisht emër për përdorim të përgjithshëm, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Ballkani ka vuajtur shumë për shkak të nacionalizmit. Duhet të ketë plan për bashkëpunim dhe zhvillim me të cilin do të bëhej hap para në arritjen e sigurisë. Ne jemi për zgjidhjen e çështjes së emrit, duke punuar me pragmatizëm dhe përgjegjësi. E them këtë sepse jo vetëm që duam të zgjidhet çështja e emrit, por edhe të stabilizohen marrëdhëniet mes vendeve tona, të vendosen në bazë të respektit të ndërsjellë dhe kundër irredentizmit. Zgjidhja duhet të jeta erga omnes dhe në këtë drejtim pajtohemi se procesi i negociatave po i afrohet fundit”, tha Tsipras./Telegrafi/