Kryeministri i Greqisë, Alexis Tsipras pret që në vitin 2018 të ndodhin ndryshime në Ballkan, por edhe të ketë lëvizje pozitive në lidhje me kontestin e emrit, në qoftë se, siç tha ai, Shkupi vendos të ndërmarrë hapa pozitiv në këtë drejtim.
“Vlerësoj se viti 2018 mund të jetë vit me rëndësi vendimtare për shumë çështje që kanë të bëjnë me këtë rajon. Do të doja të përmendi problemin për të cilin me vite të tëra merremi me ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë. Siç tha edhe miku im Borisov, çështja e Shkupit ndoshta në vitin 2018 do të përjetojë ndryshime pozitive nëse Qeveria e re në Shkup vendos të ndërmarrë hapa pozitiv drejtë gjetjes së zgjidhjes së këtij problemi. Nëse ata heqin dorë nga retorika dhe deklaratat se ato janë pasardhësit e vetëm të Aleksandrit të Maqedonisë dhe nga qëndrimet e tyre iredentiste, atëherë ndoshta mund të gjejmë zgjidhje të përbashkët. Në atë rast unë do të jem i pari që do të garantojë perspektivë evropiane dhe siguri për atë vend. Ne duam të krijojmë ardhmëri ku të gjithë do të jetojmë bashkë, në paqe dhe të bashkëpunojmë”, tha Tsipras në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrat e Bullgarisë dhe Rumanisë, Boyko Borisov dhe Mihai Tudose si dhe kryetarin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Ai shtoi se ky qëllim kërkon bashkëpunim, hapa nga të gjitha shtetet e rajonit dhe qartësim të qëndrimeve për çështje të rëndësishme për tërë rajonin./Telegrafi/