Çështja për emrin ishte një prej temave për të cilat mbrëmë në Washington biseduan kryeministri grek Aleksis Tsipras dhe nënpresidenti amerikan Mike Pence, lajmërojnë mediat greke, duke iu referuar burimeve nga kabineti i kryeministrit.
Në takim, kryeministri grek qartë bëri të ditur se vendi fqinj duhet të ndërmarrë hapa konkret për të shkuar përpara dhe të bëhet anëtare e NATO-s, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Tsipras, gjithashtu, theksoi se SHBA-ja mund të luajë rol të rëndësishëm në anën e Maqedonisë, me qëllim që vendi të ndërmarrë hapa të nevojshme në drejtim të zgjidhjes së çështjes për emrin.
Në takim u përsërit edhe mbështetja amerikane dhe greke për rrugën euroatlantike të Maqedonisë, si dhe për popullin e saj.
Pence, në emër të SHBA-së e konfirmoi pozitën e fuqishme të vendit të tij për kursin euroatlantik të Maqedonisë për të cilin konsideron se është shumë e rëndësishme të vazhdojë dhe tërësisht e njeh rëndësinë e zgjidhjes së çështjes për emrin.
“Në takimin midis Tsipras dhe Pence nuk kishte asnjë befasi në debatin për Maqedoninë, e as nuk është kryer asnjë presion”, theksuan burimet nga kabineti i kryeministrit grek./Telegrafi/