Telegrafi

Tsipras: Mos fillimi i bisedimeve me Maqedoninë e Veriut është në interes të forcave regresive dhe nacionaliste

“Refuzimi i fillimit të bisedimeve për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut do të ishte vendim në interes të fuqive regresive nacionaliste”, ka thënë kryeministri grek Alexis Tsipras, në fjalimin e tij gjatë takimit përgatitor të partisë socialiste evropiane në Bruksel.

Siç njofton ANA-MPA, Tsiprasi e ka përmendur edhe perspektivën evropiane të Maqedonisë së Veriut, por edhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Refuzimi që të fillojnë bisedimet për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut, pas gjithë asaj që e arritëm me Marrëveshjen historike të Prespës, do të ishte vendim në interes të fuqive regresive dhe nacionaliste në barrë të politikës së progresit, paqes dhe miqësisë së popujve”, ka thënë Tsipras.

Kryeministri grek, ka folur edhe për kandidaturën e Manfred Weber për pozitën e kryetarit të Komisionit Evropian, duke sqaruar se të gjitha forcat progresive kanë përgjegjësi që ta parandalojnë atë, sepse një zgjidhje e tillë do të nënkuptonte edhe bashkëpunim zyrtar i së djathtës me të djathtën radikale, ndërsa kjo do të ishte katastrofë për të ardhmen e Evropës.

Tsiprasi paralelisht ka shfaqur optimizëm për rezultatet nga eurozgjedhjet, por edhe shqetësim për rritjen e mundshme të së djathtës radikale./Telegrafi/