Strategjia e Bashkimit Evropian kundër administratës së presidentit të Bjellorusisë, Aleksandar Lukashenko nuk ka funksionuar, thotë liderja e opozitës bjelloruse, Sviatlana Tsikhanouskaya.
Sipas EuroNews, përcjell Telegrafi, Tsikhanouskaya e cila po fliste të mërkurën në komitetin e punëve të jashtme të Parlamentit Evropian, iu bëri thirrje eurodeputetëve për të rritur presionin ndaj Minskut.
Reagimi i saj vjen pasi Bjellorusia u kthye përsëri në qendër të vëmendjes kur një fluturim i Ryanair u devijua për në kryeqytetin bjellorus.
Autoritetet deklaruan se aeroplani u devijua për shkak të një alarmi sigurie, por të tjerët besojnë se ishte një mashtrim për të arrestuar gazetarin Raman Pratasevich.
“Strategjia e mëparshme e BE-së e pritjes dhe shikimit ndaj regjimit bjellorus nuk funksionon”, iu tha eurodeputetëve, Tsikhanouskaya.
“Tani, unë i bëj thirrje Parlamentit Evropian që të sigurohet që reagimi i bashkësisë ndërkombëtare të mos jetë i kufizuar në incidentin e fluturimit Ryanair”, ka deklaruar ajo.
“Përgjigjja duhet të adresojë situatën në Bjellorusi në tërësinë e saj ose të gjithë do të përballemi me situata të tilla në të ardhmen derisa Lukashenko po e kthen vendin tim në Korenë e Veriut të Evropës: jo-transparente, të paparashikueshme dhe të rrezikshme”, ka shtuar mes tjerash opozitarja. /Telegrafi/