Trusti Pensional ka sqaruar problemin “gabim i papritur” që po iu shfaqet qytetarëve gjatë aplikimit për tërheqjen e 10 përqindëshit.
Sipas tyre, kjo po ndodh për shkak se nga lista e llogarive bankare që ka pranuar Trusti për verifikim, për ndonjë arsye nuk po arrijnë të konfirmohen.
“Po punojmë për ta zgjidhur këtë problem duke kërkuar ndihmë nga bankat që të na ndihmojnë me llogaritë bankare që nuk po konfirmohen ose mungojnë nga lista që e kemi marrë”.
“Ju lusim për mirëkuptim meqë as ky problem teknik nuk ka qenë e mundur të parashikohej por besojmë se do ta kalojmë ditëve në vijim”, ka sqaruar Trusti.
Ndryshe, në bazë të Ligjit për rimëkëmbje ekonomike, qytetarët do të kenë mundësi që të tërheqin vetëm 10 për qind të shumës së siguruar për kursime pensionale, që kanë fituar gjatë kohës sa kanë punuar, por edhe në bazë të vlerës së pagës që marrin.
Aplikimi online do të zgjasë katër muaj.
Të gjithë të punësuarit në Kosovë paguajnë 10 për qind kontribute pensionale nga paga e tyre: pesë për qind të shumës së përgjithshme të pagës e paguan punëdhënësi nga buxheti i tij, kurse pesë për qind paguhet nga paga e punëtorit.
Qytetarët mund të aplikojnë në këtë link: https://bentenapp.azurewebsites.net/
Ndryshe, qytetarët që kanë aplikuar sot, paratë do t’i marrin pas datës 23 dhjetor./Telegrafi/