Telegrafi

Trusti sërish nuk investon në Kosovë

Gjatë këtij viti, përveç turbulencave që e karakterizuan Trustin, ajo arriti të ketë edhe ngritje pozitive në kthimin e investimeve. Vetëm në tre muajt e fundit, kthimi nga investimet e Trustit ishte mbi 17 milionë euro. Deri në fundin e muajit nëntor, Trusti Pensional i Kosovës i ka depozituar mbi 33 milionë euro në Bankën Qendrore të Kosovës, përderisa rreth 406 milionë në bankat ndërkombëtare. Përveç zyrtarëve të Trustit, edhe përfaqësues të biznesit kanë kërkuar që sa më parë të plotësohen kushtet ligjore për kthimin e këtyre mjeteve në bankat vendore.

Jeton Demi, zyrtar për informim në Trust, tha se rezultatet përfundimtare të vitit 2010, do të bëhen të ditura gjatë muajit janar.

“Kthimi nga investimet e Trustit për periudhën shtator, tetor dhe nëntor është mbi 17 milionë euro. Ndërsa rezultatet finale do të bëhen të ditura në janar të vitit të ardhshëm”, thotë Demi. Vlera e investuar në bankat e Kosovës deri në fund të nëntorit, Demi thotë se është mbi 33 milionë euro”, tha Demi.

Me këtë rast, ai thekson se ky institucion pret që Qeveria e ardhshme e Kosovës të përgatisë instrumentet e nevojshme financiare, që sa më shumë mjete financiare të Trustit të investoheshin në Kosovë. “Gjithmonë kjo, duke plotësuar kushtet ligjore dhe rregulloren investuese si dhe duke pasur parasysh se këto fonde janë pronësi e patjetërsueshme e kontribuuesve kosovarë”, tha zëdhënësi Demi. /Express/Telegrafi/