Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës ka prezantuar udhëzimet kryesore për aplikim për tërheqjen e 10-përqindëshit nga kursimet.
Sipas videos së prezantuar, aplikimi nuk do të bëhet në zyrat e Trustit, por do të bëhet përmes ueb-faqes Trusti10.org.
Gjatë udhëzimit, thuhet se për aplikim duhet të shënohet numri personal dhe ai i llogarisë bankare, përcjell Telegrafi.
“Nuk mund të aplikohet me numër të llogarisë bankare të familjarit apo kujtdo tjetër dhe as llogari të biznesit. Nuk mund të aplikohet m llogari të bankës jashtë Kosovës”, njofton Trusti.
Kryeministri i vendit Avdullah Hoti ka bërë të ditur se ditën e premte nga ora 15:00 do të hapet ueb-faqja për aplikim për tërheqjen e 10-përqindëshit.
“E falënderoj Trustin dhe BQK-në për kryerjen e të gjitha procedurave në mënyrë që qytetarët shumë shpejtë të fillojnë procedurën e aplikimit për tërheqjen e këtyre fondeve. Nga informatat që morëm është hapur edhe ueb-faqja. Të gjitha përgatitjet janë bërë, të premten në orën 15:00 hapet sistemi për të aplikuar për tërheqjen e mjeteve”, tha kreu i ekzekutivit, përcjell Telegrafi.
Po ashtu, kryesuesi i bordit drejtues të Fondit të Kursimeve Pensionale, Ruzhdi Morina ka thënë se për të aplikuar për tërheqjen e 10-përqindëshit duhet të japin vetëm numrin personal dhe atë llogarisë bankare.
“Aplikimi do të jetë shumë i thjeshtë. Për të aplikuar duhet llogaria bankare dhe numri personal. Lusim qytetarët që këto të dhëna t’i japin të sakta dhe se paratë do të transferohen në xhirollogaritë individuale. Presim që shumë shpejtë të bëhen pagesat për aplikimet dhe presim që pagesat të bëhen para fundvitit”, tha Morina.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës me 72 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, të premten e kaluar kanë votuar në lexim të dytë Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike.
Pas miratimit, ky Ligji është dekretuar nga Zyra e Presidencës dhe ka hyrë në fuqi pas publikimit në Gazetën Zyrtare.
Qeveria e Kosovës me ndryshimin e Ligjit për Fondet Pensionale, parasheh kompensimin e mjeteve të tërhequra në vlerë nën 10 mijë euro. /Telegrafi/