Telegrafi

Trusti pranon humbjen e 29 milionë eurove

“Prej fillimit të këtij viti e deri më tash ka rënie për 29 milionë euro. Njëri prej indekseve kryesore që e pasqyron gjendjen e ekonomisë globale, ka rënë në vlerë për më se 14% që nga fillimi i vitit. Për çdo muaj grumbullohen rreth 5 milionë euro, ndërsa edhe pse ka rënie, kjo rënie e periudhës së fundit, nuk do të thotë se në të ardhmen nuk do të ketë ngritje”, tha drejtori menaxhues i Trustit, Adrian Zalli.

Sipas tij, strategjia e diversifikimit në një numër të klasave të aseteve aplikuar nga Bordi i Trustit, ka ndikuar që rënia e çmimit të njësisë të jetë më e ulët për 9 % se sa në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Zalli shpjegoi se shumica e fondeve pensionale në mbarë botë janë ballafaquar me vështirësi të njëjta.

“Tregjet vazhdojnë të jenë të paqarta dhe përballë kësaj pasqyre, Bordi do t’i plasojë kontributet e reja në tregun e kredive afatshkurtra dhe depozitave bankare, derisa në anën tjetër bankat e Kosovës do të vazhdojnë të konsiderohen si pranues potencial të një pjese të këtyre mjeteve”.

Trusti po ashtu ka njoftuar se prej mjeteve të investuara jashtë vendit, 15 milionë euro janë kthyer në Kosovë dhe sipas tenderit të fituar janë investuar në dy banka, 10 milionë në “Raiffeisen Bank” dhe 5 milionë në “ProCredit" Bank”. /Telegrafi/