Site icon Telegrafi

Trusti përmbyll vitin 2023 me rritje rreth 90 milionë euro

Fondi i Kursimeve Pensionale i Kosovës ka njoftuar se ka përmbyllur vitin 2023 me +87.7 milionë euro kthim bruto nga investimet.

“Ky ishte viti i 19-të, nga gjithsej 22 vite të operimit, ku institucioni del me rezultat pozitiv nga investimi i kursimeve pensionale. Kjo shpiu në +750 milionë euro kthim të gjithmbarshëm bruto prej themelimit.

Arkëtimi i kontributeve të reja në 2023-shin, në vlerë 286 milionë euro, pasqyron një rritje rekorde krahasuar me vitin paraprak, si në vlerë nominale (+44 milionë euro) por edhe si përqindje (+18.2%)”, thuhet në njoftim.

Kontributet e reja, bashkë me kthimin në investime, ndryshe nga tërheqjet e kursimeve dhe tarifat, kanë kontribuuar pozitivisht që mjetet neto nën menaxhim të FKPK-së të rriten sivjet për +291 milionë euro dhe ta kështu tejkalojnë vlerën e 2.7 miliardë eurove.

Tutje TRUS-ti njofton se sikurse vitin e kaluar, FKPK-ja prej vitit 2022 operon me dy portofole investuese: (1) Portofolin Standard – për kontribuuesit nën moshën 63 vjeçare; dhe (2) Portofolin Konservativ – për kontribuuesit e moshës 63 vjeçare e sipër; dhe raportimet për këto dy portofole, që edhe kanë performancë të ndryshme, bëhen të ndara.

Sa i përket performancës së investimeve për Portofolin Standard për vitin 2023, Fondi i Kursimeve Pensionale ka njoftuar se këto investime ishin +3.05% (2022: 5.54%; 2021: +10.65%).

“Synimi i këtij portofoli është që në afatgjatë ta tejkalojë indeksin e çmimeve të konsumit (ndryshe inflacionin) në Kosovë. Aktualisht çmimi i njësisë së këtij portofoli është ngritur për 67.6% prej themelimit, ndërsa inflacioni në Kosovë për 70.2%.

Bordi Drejtues, i emëruar në detyrë prej 13 korrikut 2023, e ka ruajtur përgjithësisht qasjen e ndërmarrjes së riskut të ulët në investimet e Portofolit Standard nga Bordi paraprak. Kjo meqë gjendja e përgjithshme ekonomiko-financiare dhe gjeopolitike ishte dukshëm e ngarkuar nga ngjarje me potencial të lartë të ndikimit negativ në performancën investuese. Kjo qasje pritet të rishikohet gjatë vitit 2024”, thuhet në njoftim.

Në Portofolin Konservativ kishte ngritje prej +3.47% të çmimit të njësisë për vitin 2023 (2022: +2.94%). Për shkak se investimet e këtij portofoli janë vetëm në fletobligacionet e Qeverisë së Kosovës ato nuk ndikohen nga ndryshimet në tregjet financiare, rrjedhimisht kanë stabilitet më të lartë. Kthimi bruto i këtij Portofoli nga fillimi (shkurt 2022) ka arritur në 5.1 milionë euro.

“Qëllimi i këtij portofoli është që të ruajë vlerën e kursimeve pensionale nga lëvizjet në tregjet financiare të kontribuuesve që janë shumë afër pensionimit dhe nuk mund të kenë kohë të mjaftueshme të rikuperimit nga luhatjet e forta negative në tregjet financiare globale”, njofton Fondi i Kursimeve Pensionale.

Lidhur me pritshmëritë për vitin 2024, Fondi i Kursimeve Pensionale ka theksuar se ekziston një vlerësim që ngritja e përgjithshme ekonomike globale për vitin 2024 do të jetë rreth 2.4%.

“Ky parashikim vlerëson se kështu do të jetë viti i tretë rresht që ekonomia globale do të ketë regres në ngritjen ekonomike. Nën këto kushte, dhe në vlerësim të rreziqeve gjeopolitike në rritje, Bordi Drejtues i FKPK-së pritet të vazhdojë me vendime investuese që ndërmarrin risk të moderuar investues. Gjithsesi se vendimi më i rëndësishëm i vitit në vijim do të jetë inicimi i zbatimit të portofolit të tretë investues, për të cilin do të ketë njoftime të detajuara para fillimit të tij”, thuhet në fund të njoftimit. /Telegrafi/

Exit mobile version