Telegrafi

Trusti Pensional po na trus

Qytetari nga Prishtina, M. S, në fund të vitit të kaluar kishte të kursyera në Trustin e Kursimeve Pensionale të Kosovës 13 mijë e 600 euro. Tash, pas gjashtë muajve, me gjithë paratë që ka deponuar gjatë kësaj periudhe, ai ka më pak se në fund të vitit të kaluar. Saktësisht tash i ka 12 mijë e 480, që përkthyer në shqip i bie 1 mijë e 120 euro më pak.

Sipas këtyre llogaritjeve, del se paratë që kosovarët i kursejnë për të marrë një pension, në vend që të marrin më shumë nga kamata, ata mund të marrin përgjysmë më pak sesa kanë deponuar.

Vlera e aksionit gjatë pesë viteve të fundit është 1.12. Ndërsa vetëm gjatë gjashtë muajve të fundit vlera e këtyre parave ka rënë thikë teposhtë. Nga 1.27 sa ka qenë, ajo tash është në 1.12 për aksion. Pra, ato para nuk janë aspak të sigurta se kosovarët do t`i marrin më shumë siç është menduar, përkundrazi.

291 milionë eurot e kosovarëve që Trusti i ka investuar në tregjet evropiane, sot peshojnë 12 për qind më pak se në fillim të vitit. Nëse vazhdojnë këto trende, atëherë vlera mund të shkojë edhe nën koeficientin 1.

E kjo nënkupton se një pensioner kosovar mund të marrë shumë më pak pare sesa ka dhënë. Trusti i ka dërguar gati 300 milionë euro jashtë shtetit, me arsyetim se ato janë të sigurta atje. Por, del krejt e kundërta. Ato mund të mos humbin nga ndonjë falimentim i mundshëm, por humbin në vlerë sa çel e mshel sytë. E trendin aktual e tregon vetë grafiku i marrë nga TKPK, i cili e ka marrë teposhtëzën.

Në anën tjetër, drejtuesit e këtij trusti thonë se kjo gjë është normale në saje të rënieve të tregjeve financiare në dynja. Vërshim Hatipi, zëvendësdrejtor në Trust, ka thënë se është e natyrshme që asetet e Trustit të investuara në tregjet globale të shënojnë ngritje e ulje, varësisht nga situata e përgjithshme në tregjet financiare.

“Paratë e kursimtarëve të Kosovës janë pjesë e këtyre tregjeve dhe i ndajnë me to, si përfitimet ashtu edhe humbjet”, tha Hatipi.

Problemet me vlerën e kredive, tha ai, si dhe ngritja e vazhdueshme e çmimit të naftës kanë shkaktuar efekte në të gjitha sferat tjera ekonomike. Mirëpo, sipas tij, investimet e Trustit duhet të shihen në natyrën e tyre të vërtetë, sepse këto janë investime afatgjate 20, 30 apo 40 vjeçare , dhe si të tilla, gjykuar nga historiku i gjithëmbarshëm i investimeve të kapitalit, ato rezultojnë në përfitime.

“Në periudha të shkurtra kohore ato mund të pësojnë rënie, kur edhe paraqiten rastet më të volitshme për të blerë aksione me çmim të ulët, gjegjësisht aksione nën vlerën e tyre reale”. Ai tregoi se aktualisht Trusti i ka nën menaxhim 291 milionë euro.

Zëvendësdrejtori ka bërë të ditur se fondet apo asetet e Trustit janë të investuara në një spektër të gjerë të instrumenteve investuese. 60 për qind e mjeteve janë të investuara në tregun e aksioneve, 17 për qind në bono, 12 për qind në tregun e kredive, 5 për qind në tregun e shkëmbimit të valutave, 5 për qind në certifikata depoziti dhe 1 për qind në tregun e parave.

Trusti ka ka vetëm 15 milionë euro në bankat vendore. Dhe përfitimet janë shumë më të majme se jashtë. Janë 10 milionë euro në Raiffeisen Bank, për të cilat kosovarët përfitojnë kamatë prej 5.8 për qind në vit dhe 5 milionë euro në ProCredit Bank, ku përfitohet kamatë vjetore prej 5.1 për qind. (Gazeta Express)