Telegrafi

Trusti investon edhe 59 milionë euro

Anëtari i këtij bordi Ymer Havolli ka thënë së gjithnjë sipas parimeve të investimeve të hartuara dhe miratuara nga Bordi në mbledhjen e kaluar, bordi ka vendosur që të investohen 10 milionë euro shtesë në tregun e aksioneve, përmes menaxhuesit të mjeteve Vanguard.

Ky vendim sipas tij është marrë konform stabilitetit në rritje të tregjeve ndërkombëtare financiare si dhe rezultateve të kënaqshme të cilat i kanë arritur investimet e Trustit gjatë tremujorit të parë këtij viti.

Ndërkohë Havolli ka bërë të ditur që 4 milionë euro shtesë është vendosur të deponohen në Raiffeisen Bank në Kosovë, e cila i ka garantuar këto depozita me bono thesari të sigurisë më të lartë (AAA).

Bordi sipas tij po ashtu ka vendosur që ta plasojë shumën prej 45 milionë eurove në tregun e parave të gatshme, përmes menaxhuesit të mjeteve Fortis, investime këto që llogariten të jenë më të sigurtat në treg.

"Plasmanet në Fortis janë të përkohshme dhe do të qëndrojnë aty deri në një kohë kur Bordi të vendos për rritjen e plasimeve në instrumentet tjera të investimeve", ka thënë ai.

Shumat për investimin e të cilave u vendos gjatë kësaj mbledhje të Bordit janë marrë nga llogaria e Trustit në Bankën Qendrore të Kosovës ku, pas këtyre transfereve, kanë mbetur afërsisht 20 milionë euro.

Sa i përket strategjisë afatgjate, Bordi pati përcaktuar në mbledhjen e kaluar se ajo do të orientohet në 3 kategori kryesore:

• 40% e fondit në fondet e indeksuara të aksioneve, aktualisht të investuara me Vanguard;

• 30% e fondit do të jetë i investuar në instrumente që kanë kthim absolut, të ngjashme me fondet që menaxhohen nga Schroders dhe ECM; si dhe

• 30% e fondit në instrumente financiare siç janë tregu i parasë së gatshme, depozita bankare, etj.

Bordi Udhëheqës gjatë kësaj mbledhje po ashtu e ka shqyrtuar listën e menaxhuesve potencial të mjeteve dhe ka hartuar listën e shkurtë të tyre në procesin e përzgjedhjes së menaxhuesve të mjeteve për kategorinë me kthim absolut.

Bordi është shprehur tejet i kënaqur me kthimin në investime gjatë tremujorit të parë të këtij viti. Muaji mars ka qenë veçanërisht pozitiv duke rezultuar me rritje prej 3.2% të çmimit të njësisë së Trustit, ose, shprehur në vlerë monetare, me kthim prej 12.7 milionë eurove. /telegrafi