Të shoqëruar nga mjetet e blinduara, ushtarët turq hynë në Siri, si pjesë e një operacioni që Ankaraja thotë se ka qëllim të ndalojë luftimet në provincën e Idlibit.
Ushtria turke tha se forcat e saj do të krijojnë pika vëzhgimi, për të monitoruar zonën e ashtuquajtuar të uljes së tensionit, sipas marrëveshjes me Rusinë dhe Iranin.
Provinca e Idlibit kontrollohet gjerësisht nga “Hayat Tahrir al-Sham”, një aleancë xhihadistësh që kanë lidhje me Al Kaedën, dhe qëllimi i Turqisë është të ndalojë pikërisht ata.
Por Idlibi është gjithashtu në kufi me enklavën kurde të Afrinit, një tjetër objektiv për t’u ndalur i turqve. Ankaraja përkrah rebelët që luftojnë kundër presidentit sirian, Bashar al-Assad, e vitin e kaluar mbështeti një ofensivë rebele ndaj Shtetit Islamik në kufirin e provincës Aleppo.
Por duke bërë kështu ndaloi gjithashtu njësitë kurde “YPG” që të mbërrinin në Afrin. Mediet turke raportojnë se rreth 100 ushtarë dhe 30 mjete të blinduara kanë hyrë në Siri, por numri mund të rritet në ditët në vijim.
Gjithashtu raportohen luftime në Idlib, por nuk është e qartë se cilat janë palët e përfshira, ndërsa ekspertët thonë se shtimi i armëve në terren me mbërritjen e Turqisë nuk bën shumë për të ulur tensionin.