Telegrafi

Trupat e vdekur po vazhdojnë të dalin nga uji në breg, numri i viktimave nga përmbytjet në Libi mund të dyfishohet

Trupat e njerëzve të vdekur po dalin nga uji në breg në Libinë lindore të mërkurën, duke rritur numrin e të vdekurve nga një stuhi që përfshiu lagje të tëra, me mijëra të vdekur tashmë të konfirmuar dhe shumë mijëra të tjerë ende të zhdukur.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, një pjesë e qytetit mesdhetar Derna u shkatërrua nga përmbytja, që ndodhi pas shirave nga një stuhi e fuqishme që shpërtheu digat mbi qytet të dielën mbrëma.

Si pasojë, edhe ndërtesa të tëra shumëkatëshe “u fshinë” me familje të shumta që gjendeshin duke fjetur brenda tyre.

“Deti po nxjerr vazhdimisht dhjetëra trupa”, i tha Reuters me telefon Hichem Abu Chkiouat, ministër i aviacionit civil në administratën që drejton Libinë lindore.

“Ne kemi numëruar më shumë se 5,300 të vdekur deri më tani, dhe numri ka të ngjarë të rritet ndjeshëm dhe madje mund të dyfishohet – sepse numri i njerëzve të zhdukur është gjithashtu me mijëra”, ka shtuar ai.

Dhjetëra mijëra njerëz kishin mbetur pa strehë, tha ai, duke bërë thirrje për ndihmë ndërkombëtare dhe duke shtuar se Libia nuk kishte përvojën për t’u marrë me pasojat e një fatkeqësie të tillë. /Telegrafi/