Telegrafi

Trupat e pajetë të 89 emigrantëve nxirren nga Atlantiku

Rojet bregdetare në Mauritania kanë nxjerë 89 trupa emigrantësh nga një varkë që u përmbys së fundmi në Oqeanin Atlantik.

Bëhet e ditur se nëntë persona, përfshirë një vajzë pesë vjeçare, janë shpëtuar, por dhjetëra të tjerë janë zhdukur.

Të mbijetuarit thonë se anija, një varkë tradicionale peshkimi, u nis javën e kaluar nga zona kufitare Senegale-Gambiane, me 170 persona në bord.

Ajo u përmbys në brigjet jugperëndimore të Mauritanisë, shkruan BBC, përcjell Telegrafi.

Mauritania është një pikë kyçe për migrantët që përpiqen të arrijnë nga Afrika Perëndimore në Evropë, me mijëra varka që u nisën nga vendi vitin e kaluar.

Siç raportohet, destinacioni më i zakonshëm në rrugën e rrezikshme janë Ishujt Kanarie të Spanjës.

Të dëshpëruar për të shkuar në Evropë, emigrantët shpesh udhëtojnë me varka të mbingarkuara.

Më shumë se pesë mijë të tillë kanë vdekur ndërsa përpiqeshin të arrinin në Spanjë përmes detit në pesë muajt e parë të vitit 2024, vlerëson organizata bamirëse Ca-minando Fronteras.

Ndryshe, në prill, BE-ja i dha Mauritanisë 210 milionë euro ndihmë – pothuajse 60 milionë nga të cilat do të investohen në luftën kundër migrimit pa dokumente në Evropë. /Telegrafi/