Telegrafi

Trumpit i hiqet emri nga fletëvotimet e zgjedhjeve paraprake në Illinois

Një gjykatëse e Illinoisit ka ardhur në përfundim se Donald Trump ishte përfshirë në kryengritjen e 6 janarit të vitit 2021 dhe për këtë nuk do ta ketë emrin në fletëvotimet për zgjedhjet paraprake në këtë vend – megjithëse ajo tha se vendimi final do të merret pas një apeli.

Dy shtete të tjera – Colorado dhe Maine – e kanë hequr Trumpin nga fletëvotimet e tyre kryesore për shkeljen e Amendamentit të 14-të të kushtetutës amerikane.

Rezultati përfundimtar ka të ngjarë të vendoset nga Gjykata e Lartë e SHBA-së.

Lexo po ashtu Trump diskualifikohet për zgjedhjet presidenciale në Kolorado

Zgjedhjet paraprake të Illinois janë caktuar për 19 mars, raporton bbc.

Trump – kandidati kryesor republikan për president – ka apeluar sot vendimin. Ish-presidenti amerikan po kërkon gjithashtu që vendimi të pauzohet derisa çështja të zgjidhet plotësisht ose nga një gjykatë shtetërore ose federale.

Gjykatësja e qarkut Cook County, Tracie Porter argumentoi se Trumpi kishte shkelur Amendamentin e 14-të të Kushtetutës së SHBA-së me rolin që kishte në trazirat e 6 janarit në Kongresin amerikan.

Sfidat ligjore varen nga një amendament kushtetues i kohës së Luftës Civile që ndalon këdo që është “angazhuar në kryengritje ose rebelim” të mbajë poste federale. /Telegrafi/