Site icon Telegrafi

Trumpi shmang inaugurimin e Bidenit: Do të shkojë në një turne golfi

Mediat britanike raportojnë se presidenti i SHBA-së, Donald Trump do të largohet nga Shtetet e Bashkuara një ditë para inaugurimit të presidentit të zgjedhur, Joe Biden.

Sipas tyre, Trump do të udhëtojë për të marrë pjesë në një turne golfi të mbajtur në Skoci. Raportimet e tyre bazohen në faktin se ardhja e një aeroplani ushtarak nga SHBA-ja, i cili zakonisht përdoret nga presidenti aktual amerikan, do të bëjë aterrim në aeroportin skocez të Prestwickut.

E përditshmja britanike, Sunday Post shkruan se Trump mund të planifikojë një udhëtim në Skoci në mënyrë që të shmangë inaugurimin e Bidenit, si dhe që Aeroporti Prestwick njoftoi se pret ardhjen e aeroplanit ushtarak Boeing 757, të cilën Trumpi mund ta përdor deri më 19 janar, transmeton Telegrafi.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Judd Deere tha se Trump nuk i ka përfunduar ende planet për ditën e inaugurimit.

Sunday Post më tej thotë se nëse Trump arrin në Skoci, ai do të shkelë masat kufizuese, pasi që vendpushimi Turnbury është i mbyllur deri më 5 shkurt.

Qeveria Skoceze nuk dëshironte të komentonte për ardhjen e mundshme të Trumpit, por tha se ishte në kompetencë të qeverisë britanike dhe Ministria e Punëve të Jashtme, si dhe menaxhmenti i Aeroportit Prestwick, nuk donin të komentonin asgjë. /Telegrafi/

Exit mobile version