Kandidati republikan për president të SHBA-së, Donald Trump, ka pranuar ofertën e televizionit amerikan, Fox News për mbajtjen e një debati më 4 shtator me kandidaten e mundshme demokrate për president, Kamala Harris.
“Rregullat do të jenë të ngjashme si të debatit tim me Joen e përgjumur, i cili është trajtuar tmerrësisht nga partia e tij, por me një sallë të mbushur me publik”, shkroi Trump në rrjetin platformën Truth Social, duke iu referuar presidentit amerikan, Joe Biden, i cili hoqi dorë nga gara për t’u rizgjedhur.
Zëvendëspresidentja amerikane ishte përgjigjur muajin e kaluar se është “e gatshme” për debat, pasi Fox News propozoi debat presidencial për datën 17 shtator, shkruan nytimes.
Pasi Biden u tërhoq nga gara presidenciale më 21 korrik dhe e mbështeti Harrisin, Trumpi tha se nuk do të debatonte me të, sepse ajo nuk ishte kandidate zyrtare.
Si dëshmi për mungesën e mbështetjes për të, ai tha se ish-presidenti, Barack Obama nuk e kishte mbështetur atë.
Por, Obama e mbështeti Harrisin një ditë më vonë dhe të premten, Harris i siguroi votat e nevojshme të delegatëve për t’u nominuar kandidate e demokratëve për zgjedhjet e 5 nëntorit. /Telegrafi/