Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump ka qëndruar në Spitalin Ushtarak Walter Reed për më shumë se dy ditë, ku u shtrua pasi u konfirmua se ishte infektuar me coronavirus.
Trump papritmas u largua për pak kohë nga spitali duke shkaktuar debat të madh në mesin e mjekëve dhe senatorëve, transmeton Telegrafi.
Më i ashpër ishte mjeku, i cili gjithashtu punon në spitalin ku po trajtohet i pari i shtetit amerikan, James Phillips.
“Çdo person në veturë gjatë asaj vozitje krejtësisht të panevojshme presidenciale tani duhet të jetë në karantinë për 14 ditë”, shkroi James Phillips në Twitter, mjek dhe profesor i mjekësisë urgjente në Universitetin George Washington. “Ata mund të sëmuren. Ata mund të vdesin. Për shkak të shfaqjeve politike”.
https://twitter.com/DrPhillipsMD/status/1312867868028141568
Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Judd Deere e përshkroi daljen e Trumpit nga spitali si “një udhëtim të shkurtër” dhe shtoi se presidenti u kthye shumë shpejt në kompleksin e spitalit.
Por, kjo nuk i ka ndalur kritikat e shumta rreth rrezikimit të shëndetit të njerëzve të tjerë për shkak të tekeve të presidentit.
Senatori Brian Schatz, një demokrat nga Hawaii, shtoi se ai “lutet për shëndetin e anëtarëve të shërbimit sekret, të cilët e shoqëruan Trumpin: është e qartë për ta se rreziku është pjesë e punës së tyre, vetëm ata nuk duhet të vihen në një situatë, ku rrezikohen nga personi që duhet ta mbrojnë”.
Thinking about his security detail and praying for their health. They understood the risk inherent in the job, but they shouldn’t have to contemplate that the risk is coming from the protectee.
— Brian Schatz (@brianschatz) October 4, 2020
Më herët dje, mjekët dhanë informacione të reja kontradiktore në lidhje me gjendjen e Trumpit.
Ata thanë se kishte humbur oksigjenin dy herë, gjë që është në kundërshtim me disa deklarata të mëparshme dhe konfirmon se gjendja e vërtetë e Trumpit ishte fshehur gjersa mori dozën e parë të deksametazonit, e cila zakonisht u jepet njerëzve që kanë probleme me frymëmarrjen. /Telegrafi/