Ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump tha se ai së fundmi ka zhvilluar bisedë me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu.
Trump u pyet se kur foli për herë të fundit me liderin izraelit gjatë një interviste për Fox News që u transmetua të dielën.
“Si dy ditë më parë dhe ai erdhi në shtëpinë time në Florida, Mar-a-Lago me gruan e tij që ishte shumë e dashur”, tha Trump.
Bëhet e ditur se kandidati republikan u takua me Netanyahun në vendpushimin e tij në Palm Beach, Florida, në korrik, shkruan Reuters, përcjell Telegrafi.
Ky ishte takimi i tyre i parë që nga fundi i presidencës Trump.
Presidenti i SHBA-së, Joe Biden foli gjithashtu me Netanyahun javën e kaluar mes tensioneve në Lindjen e Mesme.
Por, Trump e quajti “patetike” mungesën e bisedës mes Bidenit dhe Netanyahut në gati dy muaj.
“Mund t’ju them se Bibi ka qenë shumë i fortë”, tha Trump.
“Ai nuk po e dëgjon Bidenin”, shtoi ish-presidenti.
Ndryshe, marrëdhëniet midis Bidenit dhe Netanyahut kanë qenë të tensionuara për shkak të trajtimit të luftës në Gaza nga lideri izraelit. /Telegrafi/