Telegrafi

Trump zbulon aksidentalisht planin për emigrantët, lëvizi dorën me dokumente – gazetarët arritën t’ia fotografojnë (Foto/Video)  

Presidenti amerikan Donald Trump ka zbuluar aksidentalisht detaje të marrëveshjes për emigrimin me autoritetet meksikane, kur në një moment lëvizi dorën në të cilën kishte dokumentet me detajet e kësaj marrëveshje.

Më herët ai kishte refuzuar të zbulojë planet para gazetarëve, duke u arsyetuar se duhet të mbesin sekret. Megjithatë, ai i zbuloi kur lëvizi dorën dhe shihej dokumenti i nënshkruar, të cilin arritën ta fotografojnë mediat dhe ta rrisin dhe në këtë mënyrë të mësohen detajet e marrëveshjes, transmeton Telegrafi.

Në dokumente thuhet se plani i ri është që Meksika të etiketohet si vendi i tretë dhe se do të detyrohet të ndryshojë ligjet që të bëhet vendi i tretë. Në këtë plan, përshkruhet edhe një pjesë e planit regjional për azil, që do të përfshinte disa vende të Amerikës së Jugut që pranojnë emigrantë.

Kujtojmë se presidenti amerikan që nga fillimi i mandatit të tij është zotuar për ndërtimin e një muri përgjatë vijës kufitare SHBA-Meksikë, me qëllim që të parandalohet emigrimi ilegal që po i shkakton probleme të mëdha autoriteteve të emigracionit në SHBA.

E për të parandaluar një gjë të tillë ishin angazhuara edhe forca të shumta të ushtrisë amerikane që qëndrojnë përgjatë vijës kufitare SHBA-Meksikë, duke shpresuar se të paktën do të zvogëlohet vala e emigrantëve. /Telegrafi/