Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, përkrah kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, i cili theksoi sot se zgjidhja me dy shtete për t’i dhënë fund konfliktit izraelito-palestinez nuk ishte e vetmja rrugë e mundur për paqen.
Presidenti amerikan, Donald Trump përshëndeti lidhjet e forta mes SHBA-ve dhe Izraelit, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu në Shtëpinë e Bardhë.
“Me këtë vizitë, SHBA-ja rikonfirmon edhe njëherë lidhjet e forta me aleatin tonë të çmueshëm, Izraelin”, deklaroi Trump.
“Partneriteti mes dy vendeve tona, ndërtuar në bazë të vlerave tona të përbashkëta do të çojë përpara kauzën e lirisë njerëzore, dinjitetit dhe paqes. Dy vendet tona do të vazhdojnë të rriten. Ne kemi histori të gjatë bashkëpunimi në luftën kundër terrorizmit dhe luftën kundër atyre që nuk bien dakord me vlerat njerëzore”, nënvizoi Trump.