Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Donald Trump, pritet të vendosë kufizime dhe tarifa doganore shtesë për Kinën me arsyetimin se ka vjedhur teknologjinë dhe sekretet tregtare të vendit të tij.
Në një deklaratë nga Shtëpia e Bardhë, përcjell Telegrafi, thuhet se Trump në ora 17:30 do të njoftojë masat tregtare të cilat bartin cilësinë e një ndëshkimi ndaj ‘agresivitetit ekonomik të Kinës’.
Në kuadrin e hetimeve të nisura nga Përfaqësuesi i Tregtisë së SHBA-së në gusht të 2017-së, me arsyetimin se Kina vodhi teknologjinë dhe sekretet tregtare të SHBA-së dhe shkeli të drejtat e pronësisë intelektuale të kompanive amerikane, përveç vendosjes së detyrimeve doganore shtesë për qindra produkte kineze, priten edhe disa kufizime për investimet e kompanive kineze në vend.
Zyrtarët të cilët kanë dhënë informacione në kushte anonime kanë theksuar se mund të arrijë gjithsej në 50 miliardë dollarë shuma e tarifave doganore që do të zbatohen ndaj shumë produkteve që nga pajisjet elektronike e deri tek këpucët e importuara nga Kina.
Ekspertët ndërkombëtarë të tregtisë potencojnë se deklarimi i masave të reja me objektiv Kinën mund të ngre shqetësime rreth ‘luftës tregtare’ teksa ende nuk kanë përfunduar diskutimet mbi tarifat shtesë doganore të SHBA-ve për çelikun dhe aluminin.
Trump bëri të ditur më 9 mars se çeliku dhe alumini i importuar do të jenë subjekt i tarifave doganore nga 10 dhe 25 për qind. /Telegrafi/