Presidenti amerikan, Donald Trump ka shkarkuar inspektorët e përgjithshëm nga më shumë se një duzinë agjencish federale gjatë një “spastrimi” të bërë të premten në mbrëmje, sipas një zyrtari të administratës së re amerikane, duke i hapur rrugën për të emëruar njerëzit e tij për të mbikëqyrur këto agjenci.
Këto shkarkime kanë ngjallur shqetësim te disa senatorë republikanë, përfshirë kryetarin e Komisionit të Drejtësisë të Senatit, Chuck Grassley, mbrojtës i njohur i inspektorëve të përgjithshëm (IGs), i cili tha se Kongresi nuk mori njoftimin 30-ditor nga Shtëpia e Bardhë, siç kërkohet me ligj federal.
Senatorë republikanë, përfshirë liderin e shumicës John Thune nga Dakota e Jugut, thanë se nuk u ishte dhënë asnjë paralajmërim apo shpjegim për vendimin e Shtëpisë së Bardhë.
“Jo, nuk më është thënë, kështu që më mirë të mos komentoj tani. Jam i sigurt se do të kem diçka për të thënë”, tha Thune për CNN.
Senatorë të tjerë republikanë shprehën shqetësim për faktin se nuk kishin marrë njoftim dhe për shkallën e gjerë të këtyre shkarkimeve.
Senatorja Lisa Murkowski tha se këto shkarkime ishin “mjaft të gjera dhe të përhapura në shumë agjenci”.
Disa senatorë të tjerë, përfshirë John Barrasso, numri dy i republikanëve në Senat, treguan se nuk kishin marrë asnjë paralajmërim për shkarkimet e inspektorëve të përgjithshëm.
Ndryshe, Trump kishte larguar nga puna të gjithë punonjësit e Shtëpisë Bardhë, të cilët kishin punuar me Joe Bidenin. /Telegrafi/