Presidenti amerikan Donald Trump ka urdhëruar Pentagonin të shkurtojë me mbi një të katërtën gjatë muajve të ardhshëm numrin e forcave ushtarake që mbahen në Gjermani, raportoi të premten gazeta Wall Street Journal.
Gazeta njoftoi se Departamenti i Mbrojtjes do të shkurtojë 9,500 ushtarakë nga personeli aktual prej 34, 500, të caktuar me detyrë të përhershme në Gjermani.
Gazeta gjithashtu tha se një tavan prej 25,000 do të vendoset për maksimumin e forcave amerikane që mund të gjenden brenda Gjermanisë në çdo kohë, qoftë në detyra të përhershme apo me rotacion të përkohshëm – kjo është sa gjysma e nivelit maksimal që lejohet aktualisht, transmeton Zëri i Amerikës.
Kjo masë do të zvogëlonte ndjeshëm angazhimin e Shteteve të Bashkuara për mbrojtjen evropiane nën ombrellën e NATO-s, dhe mund të ndikojë gjithashtu në operacionet e Pentagonit në Afrikë dhe Lindjen e Mesme.
Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë dhe të Pentagonit nuk pranuan të konfirmojnë ose mohojnë njoftimin, i cili vjen në mes të tensioneve midis administratës Trump dhe aleatëve evropianë mbi marrëveshjet e bashkëpunimit afatgjatë.
Në veçanti, Uashingtoni nuk mendon se Gjermania shpenzon mjaftueshëm për mbrojtjen e saj.
John Ullyot, një zëdhënës i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, tha në një deklaratë se si komandant i përgjithshëm, Presidenti Trump është gjithnjë duke rivlerësuar praninë e forcave amerikane jashtë vendit.
“Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara të punojnë me aleatin tonë të fortë Gjermaninë për të siguruar mbrojtjen tonë të ndërsjellë, si dhe për shumë çështje të tjera të rëndësishme”, tha Ullyot.