Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump i ka thënë Sekretarit të Shtetit, Mike Pompeo që të anulojë udhëtimin e paraparë për javën e ardhshme drejt Koresë së Veriut, sepse ai sheh mungesë të progresit në denuklearizimin e Gadishullit Korean.
Përmes një postimi në Twitter, Trump po ashtu ka kritikuar Kinën, duke thënë se nuk po ndihmon në përpjekjet për të bindur Phenjanin që të heqë dorë nga armët bërthamore.
“I kam kërkuar Sekretarit të Shtetit, Mike Pompeo që të mos shkojë në Korenë e Veriut në këtë kohë, sepse ndjej se ata nuk po bëjnë përparim të mjaftueshëm sa i përket denuklearizimit të Gadishullit Korean”, ka shkruar Trump.
“Përveç kësaj, për shkak të qëndrimit tonë të fortë karshi Kinës, unë nuk besoj se ata po ndihmojnë në procesin e denuklearizimit ashtu siç kanë bërë më herët (pavarësisht se sanksionet e OKB-së janë në fuqi)”, ka shtuar tutje presidenti amerikan.
Megjithatë, Trump ka thënë se Pompeo do të shkojë në Korenë e Veriut “në një të ardhshme të afërt”, që me gjasë do të jetë pasi dallimet tregtare mes SHBA-së dhe Kinës “të zgjidhen”.
Trump po ashtu ka thënë se “i dërgoj përshëndetjet më të ngroha dhe respekt për Kim [Jong Un]. Mezi pres të takohem me të së shpejti”.
Trump është takuar me liderin verikorean Kim në Singapor më 12 qershor. Pas këtij samiti, presidenti amerikan kishte deklaruar se pjesa më e madhe e krizës me programin bërthamor të Koresë së Veriut është zgjidhur dhe se Phenjani më nuk paraqet kërcënim bërthamor.
Por, negociatat për denuklearizimin kanë ngecur dhe zyrtarët e SHBA-së janë ankuar se Phenjani nuk po kryen obligimet e veta.
Pompeo kishte deklaruar se do të vizitonte javën e ardhshme Korenë e Veriut për nisjen fazën e ardhshme të “verifikimit të plotë të denuklearizimit të Koresë së Veriut”. /rel/