Site icon Telegrafi

Trump me urdhër të ri ekzekutiv – pritet të preket Zëri i Amerikës dhe Radio Evropa e Lirë

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka sjell një urdhër tjetër ekzekutiv që urdhëron shpërbërjen e shtatë agjencive federale, përfshirë atë që mbikëqyrë Zërin e Amerikës dhe mediat e tjera qeveritare me shtrirje globale.

Ky urdhër prek agjenci që kryesisht trajtojnë çështje si ndërmjetësimi i mosmarrëveshjeve të punës dhe mbështetja për të pastrehët, duke kërkuar eliminimin e çdo funksioni që nuk është i detyrueshëm me ligj, sipas raportimeve të New York Times.

Po ashtu, drejtuesve të këtyre institucioneve u është kërkuar të kufizojnë sa më shumë veprimtarinë e tyre ligjore dhe të reduktojnë numrin e punonjësve në minimumin e lejuar nga ligji.

New York Times thekson se ky hap, ashtu si shumë prej përpjekjeve të liderit amerikan për të zvogëluar qeverinë, ka ngritur pikëpyetje mbi kufijtë e autoritetit të tij.

Një shembull konkret është Agjencia Amerikane për Media Globale, organizata nën të cilën funksionon Zëri i Amerikës. Kjo agjenci është e pavarur dhe e krijuar nga Kongresi amerikan, i cili në vitin 2020 miratoi një ligj për të kufizuar kompetencat e drejtorit ekzekutiv.

Përveç Zërit të Amerikës, Agjencia Amerikane për Media Globale financon gjithashtu Radion Evropa e Lirë dhe Radio Azia e Lirë.

Me një buxhet prej rreth 270 milionë dollarësh dhe mbi 2000 të punësuar, kjo organizatë transmeton programe në 49 gjuhë dhe arrin një audiencë javore prej më shumë se 361 milionë njerëzish. /Telegrafi/

Exit mobile version