Presidenti amerikan, Donald Trump, është kthyer mbrëmë në Uashington, duke u thënë reporterëve se pjesëmarrja e tij në Forumin Botëror Ekonomik në Davos të Zvicrës, ishte “udhëtim shumë, shumë i sukesshëm”.
Mëtutje, ai theksoi se “shumë njerëz nga Davosi” po investojnë në Shtetet e Bashkuara.
Në fjalimin e tij në këtë forum, zoti Trump u tha përfaqësuesve të bizneseve globale se slogani i tij, Amerika së Pari, nuk do të thotë se ai dëshiron Shtete të Bashkuara izolacioniste.
“Si president i Shteteve të Bashkuara, unë gjithnjë do ta vë Amerikën së Pari”, tha Trump dhe ka shtuar se “sikur që liderët e vendeve të tjera do të duhej t’i vendosnin vendet e veta së pari”.
“Por, Amerika së Pari nuk do të thotë Amerika e vetmuar…kur Shtetet e Bashkuara rriten, rritet edhe bota”, tha Trump.
Donald Trump është presidenti i parë amerikan, i cili ka marrë pjesë në forumin në Davos derisa është në Shtëpinë e Bardhë, prej vitit 2000, kur pjesëmarrës ishte presidenti i dikurshëm, Bill Clinton.