Site icon Telegrafi

Trump thotë se nuk mendon se duhet të “përgatitet aq shumë” për takimin me Kim Jong-un (Video)

Presidenti amerikan, Donald Trump tha të enjten se ai nuk mendon se duhet të “përgatitet aq shumë” për samitin e ardhshëm me Korenë e Veriut, duke sugjeruar se qëndrimi i tij gjatë bisedimeve do të jetë më i rëndësishëm.

“Mendoj se jam shumë i përgatitur, nuk mendoj se duhet të përgatitem më shumë. Është për qëndrimin, është për gatishmërinë për të bërë gjërat”, tha Trump ndërsa priti kryeministrin japonez Shinzo Abe në Shtëpinë e Bardhë, përcjell Telegrafi.

Trump ka thënë gjithashtu se takimi i tij i afërt me udhëheqësin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un, do të jetë “shumë më tepër se një mundësi për një fotografi”.

“Nëse ata nuk denuklearizohen, kjo nuk do të jetë e pranueshme”, shtoi Trump.

Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Sarah Sanders tha të hënën se presidenti po merrte informacione të përditshme mbi Korenë e Veriut, që sugjeron se ai ka bërë të paktën disa përgatitje për samitin e parashikuar.

Trump është vendosur të takojë Kim në Hotel Capella në Singapor më 12 qershor.

Presidenti e anuloi takimin në fund të majit, duke cituar komente agresive nga Koreja e Veriut.

Por pas përpjekjeve të mëtejshme diplomatike në të dyja anët, ai njoftoi javën e shkuar se samiti ishte kthyer në agjendë përsëri. /Telegrafi/

Exit mobile version