Ish-presidenti Donald Trump tha të enjten se do të krijojë një “komision qeveritar për efikasitetin” nëse fiton në nëntor dhe se Elon Musk do të drejtojë atë.
“Unë do të krijoj një komision të efikasitetit të qeverisë, i ngarkuar me kryerjen e një auditimi të plotë financiar dhe të performancës së të gjithë qeverisë federale dhe të bëjë rekomandime për reforma drastike”, citohet të ketë thënë Trump në komentet për Klubin Ekonomik të Nju Jorkut.
“Duhet bërë. Nuk mund të shkojmë në rrugën që jemi tani”, ka shtuar ai, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Musk, i cili miratoi kandidatin e GOP në zgjedhjet e 2024, ka rënë dakord të drejtojë grupin e punës, “nëse ka kohë”, ka thënë Trump.
Manjati i teknologjisë, i cili shërben si kreu i Tesla dhe SpaceX dhe është pronar i platformës sociale X, sinjalizoi të enjten në një postim në mediat sociale se ishte i gatshëm.
“Mezi pres t’i shërbej Amerikës nëse lind mundësia,” postoi Musk në X. “Nuk nevojitet asnjë pagesë, asnjë titull, asnjë njohje”. /Telegrafi/