Presidenti amerikan, Donald Trump, përmes një letre ka paralajmëruar homologun e tij, Rexhep Taip Erdogan, që “mos të bëhet budalla” dhe ka shtuar se historia rrezikonte ta quante atë “djall” në një letër të jashtëzakonshme, të dërguar ditën kur Turqia filloi inkursionin e saj në veri-lindje të Sirisë.
“Le të punojmë për një marrëveshje të mirë!”, shkroi Trump në letrën e datës 9 tetor, vërtetësia e së cilës u konfirmua në media të ndryshme nga Shtëpia e Bardhë.
Dhe lidhur me këtë letër, të cilën disa e kanë quajtur “të çuditshme”, ka pasur disa reagime edhe brenda SHBA-së.
Letra ka nxitur aq reagime sa që shpeshherë njerëzit kanë vënë në dyshim edhe vërtetësinë e saj.
Dhe njëra ndër to ka qenë rrjeti televiziv amerikan “MSNBC”, përcjell Telegrafi.
Gjithashtu, një reagim kishte ardhur edhe nga David Gergen, i cili ishte këshilltar i disa presidentëve, tha se letra “kishte një cilësi adoleshente” për të cilën tha se kur e pa për herë të parë, ai supozoi se ishte e rreme.
Por përveç reagimeve nga brenda SHBA-së, një i tillë ka ardhur edhe nga vendi që mund të quhet rivali kryesor i SHBA-së, Rusia.
Siç shkruan AlJazeera, përcjell Telegrafi, Kremlini i Vladimir Putinit ka vënë në dyshim tonin e një letre të dërguar nga Presidenti amerikan Donald Trump drejtuar homologut të tij turk, Tayip Erdogan, të cilën e quante jashtëzakonisht të pazakontë për korrespodencë midis krerëve të shteteve.
“Ju nuk hasni shpesh një gjuhë të tillë në korrespodencë midis krerëve të shteteve. Është një letër shumë e pazakontë”, citohet të ketë thënë zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, para gazetarëve në një konferencë. /Telegrafi/