Ka shumë spekulime rreth dhjetëra urdhrave ekzekutivë që Donald Trump planifikon të nënshkruajë ndërsa hyn në Shtëpinë e Bardhë.
Një zyrtar i administratës Trump ka thënë se ai do të shpallë një emergjencë kombëtare në kufi, dhe do të vendosë trupa shtesë amerikane.
Zyrtari tha se Trump do t’i shpallë gjithashtu kartelet kriminale si terroristë të caktuar globalë, transmeton Telegrafi.
Fox News raporton se gjithsej 11 urdhra ekzekutivë do të lidhen me sigurinë kufitare dhe imigracionin.
Midis tyre është një urdhër për të drejtuar qeverinë federale që të rifillojë menjëherë ndërtimin e murit kufitar, i filluar në presidencën e tij të parë.
Ai premtoi në mandatin e tij të parë se do të ndërtonte një “mur të madh e të bukur” në kufirin SHBA-Meksikë, dhe do ta detyronte Meksikën të paguante për të.
Në fund, qeveria amerikane shpenzoi 15 miliardë dollarë duke ndërtuar 80 milje mure të reja dhe duke zëvendësuar 340 milje barriera ose struktura që tashmë ekzistonin. Kufiri është gjithsej 1,951 milje i gjatë. /Telegrafi/