Site icon Telegrafi

Trump do të përpiqet të heq ndryshimin e orës në SHBA

Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi të premten se Partia Republikane planifikon të bëjë “përpjekje serioze” për të hequr praktikën e ndryshimit të orës.

Ai e përshkroi këtë praktikë si “të panevojshme dhe tepër të kushtueshme për vendin”, shkruan cbsnews.

Ndryshimi i orës, që ka për qëllim kursimin e energjisë dhe përdorimin më të mirë të dritës së diellit, ka qenë në fuqi në shumicën e Shteteve të Bashkuara që nga vitet 1960. Megjithatë, kjo çështje ka shkaktuar debate të vazhdueshme në vitet e fundit.

Opinioni publik dhe ligjvënësit janë të ndarë mbi këtë temë. Disa mbështesin mbajtjen e orës standarde gjatë gjithë vitit, pa ndryshime. Të tjerë sugjerojnë që ora verore të aplikohet gjatë gjithë vitit, ndërsa një pjesë preferojnë të mos ndryshojnë rregullat ekzistuese. Ndërkohë, presidenti aktual, Joe Biden, nuk ka marrë një qëndrim të qartë mbi këtë çështje.

Në mars të vitit 2022, Senati amerikan votoi njëzëri për ta bërë të përhershme orën verore, por nisma ngeci në Dhomën e Përfaqësuesve për shkak të mosmarrëveshjeve mes ligjvënësve. Kohët e fundit, një grup dypartiak senatorësh e ka rifilluar këtë përpjekje, duke synuar të arrijnë një zgjidhje.

Mbështetësit e ndryshimit të orës argumentojnë se më shumë orë me dritë pasditeve nxisin aktivitetin ekonomik dhe përmirësojnë cilësinë e jetës gjatë muajve të dimrit. Por, kritikët theksojnë se kjo praktikë çon në vonesë të lindjes së diellit, duke detyruar fëmijët të shkojnë në shkollë në errësirë.

Nga ana tjetër, përkrahësit e heqjes së ndryshimit të orës dy herë në vit pretendojnë se kjo praktikë ndikon negativisht në gjumin dhe shëndetin e njerëzve. Ata shtojnë se përshtatja e orës shkakton stres të panevojshëm në periudha të caktuara të vitit.

Ndryshimi i orës daton që nga Lufta e Dytë Botërore, kur u përdor për të reduktuar konsumin e energjisë. Kjo praktikë u riaktivizua në vitin 1973 gjatë një embargoje nafte, por u braktis shpejt pas pak vitesh për shkak të pakënaqësisë publike.

Që nga viti 2015, rreth 30 shtete amerikane kanë miratuar ose propozuar ligje për të hequr ndryshimin e orës. Megjithatë, disa shtete kushtëzojnë zbatimin e këtij vendimi me miratimin e masave të ngjashme nga shtetet fqinje.

Kongresi nuk ka mbajtur seanca të reja dëgjimore mbi këtë çështje për më shumë se dy vjet. Për të bërë ndryshime ligjore, Senati duhet të rishikojë dhe të miratojë një propozim të ri. /Telegrafi/

Exit mobile version