Site icon Telegrafi

Trump sulmon gazetarët: Jeni ‘loco’! (Video)

I etur për të promovuar marrëveshjen e tij të re tregtare me Kanadanë dhe Meksikën, Presidenti i SHBA Donald Trump i hodhi sërish benzinë zjarrit, duke rindezur “luftën” e tij me gazetarët, të cilët këmbëngulën për një prononcim të Kreut të Shtetit rreth akuzave për të përzgjedhurin e tij si kandidat për kreun e Gjykatës së Lartë, Brett Kavanaugh.

Gjatë konferencës për shtyp në Shtëpinë e Bardhë, Trump këmbënguli në përgjigjen e pyetjeve në lidhje me marrëveshjen e tregtisë përpara se të trajtohej konfirmimi i Kavanaugh, por kur Cecilia Vega e ABC-së u përpoq ta zhvendoste sërish fokusin te gjykatësi, një përplasje me Presidentin shpërtheu.

Trump tha: “Ajo është e tronditur që e kam zgjedhur, është si në gjendje shoku”.

Vega në këmbë ju përgjigj: “Nuk jam, faleminderit z. President”.

“OK jemi në rregull. Unë e di që ju nuk mendoni, kurrë nuk e bëni”, tha me ironi dhe ashpërsi Trump.

Vega u kundërpërgjigj: “Më vjen keq?”.

“Jo, vazhdoni. Vazhdoni”, tha Trump.

Ndërkohë një tjetër gazetari, i cili u përpoq të pyeste për Kavanaugh në vend të marrëveshjes tregtare iu tha që t’ia dorëzonte mikrofonin dikujt tjetër.

“Mos e bëni këtë. Më falni? A keni ndonjë pyetje për tregtinë? Mos e bëni këtë. Kjo nuk është gjë e mirë”, tha Trump, duke ju drejtuar gazetarëve.

Përfundimisht, megjithatë, ai u zbut, duke komentuar se “njerëzit po bien në gjumë” edhe pse ai e konsideron tregtinë një nga subjektet më emocionuese.

“Ju nuk e kuptoni atë që po them. Ju e kuptoni, por ju thjesht nuk doni ta raportoni në atë mënyrë”, tha ai, duke iu përgjigjur një gazetari i cili pyeti për qëllimin e hetimit të FBI-së ndaj akuzave kundër Kavanaugut.

“Unë mendoj se shtypi më ka trajtuar në mënyrë të pabesueshme padrejtësisht”, theksoi në vijim Presidenti i SHBA, përcjell gsh.

“Mediat janë loco”, tha ai, duke shpjeguar se ishte duke përdorur fjalën spanjolle që përkthehet të ‘çmendur’ në nder të marrëveshjes tregtare me Meksikën.

Trump shpërtheu edhe ndaj demokratëve, duke thënë se nuk ngritën pretendimet për sulme seksuale të Kavanaugh gjatë seancave të konfirmimit, por pritën deri më pas – duke bërë bashkë në akuzën e tij, median me partinë opozitare.

“Ju demokratë … Unë mendoj se po ju përfshij edhe ju, mediat, unë ju konsideroj një pjesë të Partisë Demokratike”, tha Trump, përpara se të vazhdonte të fliste më shumë rreth asaj se si demokratët dhe mediat e kanë trajtuar zgjedhjen e Kavanaugh “tmerrësisht keq”.

Exit mobile version