Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump thotë se beson se Moska do të tentojë të ndikojë në zgjedhjet e Kongresit, që do të mbahen në nëntor, në favor të demokratëve dhe jo në favor të bashkëpartiakëve të tij republikanë, edhe pse komuniteti i inteligjencës amerikane ka ardhur në përfundim se Rusia ka tentuar që t’i ndihmojë Trumpit që të fitojë zgjedhjet presidenciale.
“Jam shumë i shqetësuar se Rusia do të luftojë fuqishëm që të ketë ndikim në zgjedhjet e ardhshme. Bazuar në faktin se asnjë president nuk ka qenë më i ashpër ndaj Rusisë sesa unë, ata do të tentojnë të ndihmojnë demokratët. Ata definitivisht nuk e duan Trumpin”, ka shkruar në Twitter presidenti Trump.
I’m very concerned that Russia will be fighting very hard to have an impact on the upcoming Election. Based on the fact that no President has been tougher on Russia than me, they will be pushing very hard for the Democrats. They definitely don’t want Trump!
— Donald J. Trump (@realDonaldTrump) July 24, 2018
Trump, megjithatë, nuk ka ofruar asnjë dëshmi për këto pretendime.
Zyrtarët e inteligjencës amerikane kanë thënë se Rusia po vazhdon të tentojë që të ndërhyjë në procesin zgjedhor dhe tashmë në cak ka zgjedhjet e Kongresit, që do të mbahen më 6 nëntor.
Partisë Demokrate i duhen edhe dy ulëse që të fitojnë shumicën në Senat dhe 23 ulëse të tjera, që të kenë shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve.
Nëse demokratët arrijnë që të marrin nën kontroll njërën nga këto dy dhoma, ata mund të pengojnë Trumpin që të shtyjë përpara politikat e tij dhe të insistojnë edhe më fuqishëm për një hetim të Kongresit mbi administratën e Trumpit.