Site icon Telegrafi

Trump shpreson që lirimi i të burgosurve në Afganistan të ndihmojë në arritjen e paqes

Në fillim të kësaj jave, qeveria afgane liroi tre komandantë talebanë në këmbim të dy robërve perëndimorë.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë se shpreson që lirimi i dy të burgosurve perëndimorë të mbajtur peng nga talebanët në Afganistan këtë javë mund të ndihmojë në hapjen e rrugës për përfundimin e luftës në Afganistan, transmeton Telegrafi.

Trump falënderoi presidentin afgan Ashraf Ghani për mbështetjen e tij në sigurimin e lirimit të shtetasit amerikan Kevin King dhe australianit Tim Weeks, si pjesë e një shkëmbimi të të burgosurve që raportohet se përfshinte tre komandantë talebanë.

“Ne bashkohemi me familjet e Kevin King dhe Tim Weeks në festën e lirimit të tyre nga robëria talebane. Faleminderit Presidentit Ghani për mbështetjen e tij të guximshme. Le të shpresojmë se kjo do të çojë në më shumë gjëra të mira në frontin e paqes dhe të ndihmojmë t’i japim fund kësaj lufte të gjatë. Krenar për ekipin tim”, tha Trump në Twitter.

Burimet i thanë Al Jazeera se tre komandantët e liruar nga talebanët, të cilët përfshinin udhëheqësin e lartë Anas Haqqani kishin zbritur në Katar të martën.

King dhe Weeks, të dy profesorët e universitetit, ishin mbajtur nga talebanët për tre vjet dhe ishin nën kujdestarinë ushtarake amerikane para se të ribashkoheshin me familjet e tyre, sipas një deklarate të Departamentit të Shtetit.

Shkëmbimi i të burgosurve erdhi pasi Ghani njoftoi më 12 nëntor se Haqqani dhe dy komandantët e tjerë do të liroheshin. /Telegrafi/

Exit mobile version