Site icon Telegrafi

Trump: SHBA-të do të tërhiqen nga marrëveshja bërthamore me Iranin

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump ka bërë të ditur vendimin e tij lidhur me marrëveshjen bërthamore me Iranin, duke thënë se SHBA-të tërhiqen nga kjo marrëveshje, duke përmbushur një nga premtimet e tij të mëdha të fushatës.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, presidenti Trump tha se do të krijojë “nivelin më të lartë” të sanksioneve ekonomike kundër Iranit dhe Shtetet e Bashkuara do të largohen nga marrëveshja.

Disa orë para fjalimit të tij, Shtëpia e Bardhë tha se Trump e kishte telefonuar presidentin francez Emmanuel Macron për të diskutuar vendimin e tij.

Po sipas mediave, zëvendëspresidenti amerikan Mike Pence ka njoftuar gjithashtu anëtarët e Kongresit për tërheqjen.

Në vitin 2015, Irani nënshkroi marrëveshjen JCPOA – me gjashtë fuqi botërore: SHBA, Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Rusia, Kina dhe Bashkimi Evropian.

Siç kanë raportuar më herët mediat, Trump, që ka qenë kritikues i marrëveshjes së arritur në mes të Iranit dhe fuqive botërore, ka kërcënuar se Uashingtoni mund të tërhiqet nga ky pakt, nëse nuk përmirësohen ato që ai i cilëson si “të meta” të këtij pakti.

Ndërkohë, Franca, Gjermania dhe Britania – nënshkruese të paktit bërthamor – i kishin bërë thirrje presidentit Trump që të qëndrojë në këtë marrëveshje, duke argumentuar se një gjë e tillë do të ishte mënyra më e mirë për të frenuar aktivitetet bërthamore të Teheranit.

Teherani përmes kësaj marrëveshjeje përfiton lehtësim të sanksioneve në këmbim të frenimit të programit bërthamor.

Presidenti iranian, Hassan Rohani, ka thënë se SHBA “do të pendohet” nëse tërhiqet nga marrëveshja.

Ndërkaq, ministri i Jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif, më herët ka kërcënuar se shteti i tij mund të rinisë programin bërthamor, nëse SHBA vendos të tërhiqet nga pakti i vitit 2015.

Javën e kaluar, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu prezantoi të dhëna, të cilat sipas tij, dëshmojnë se Irani ka një program sekret bërthamor dhe po kërkon që të krijojë armë bërthamore.

Pretendime të tilla u kundërshtuan nga Teherani, por u mirëpritën nga Uashingtoni.

Nënshkrues të marrëveshjes bërthamore me Iranin janë Shtetet e Bashkuara, Rusia, Kina, Franca, Gjermania dhe Britania. /Telegrafi/

Exit mobile version