Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, deklaroi se do të tërhiqet nga Marrëveshja për Forcat Bërthamore me Rreze të Mesme të nënshkruar me Rusinë.
Trump thotë se Rusia ka shkelur marrëveshjen.
“E shkelte për vite të tëra dhe nuk e di pse presidenti Barack Obama nuk e ka negociuar apo nuk është tërhequr nga kjo marrëveshje”, tha Trump.
Ai thotë se nuk do të lejojnë që Rusia të shkelë një marrëveshje bërthamore dhe të bëjë armë të cilat nuk lejohen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Ne ishim pala që mbetëm në marrëveshje dhe që e respektuam atë por Rusia për fat të keq nuk e respektoi këtë marrëveshje dhe për këtë arsye do të anulojmë dhe do të tërhiqemi nga marrëveshja”, tha ai.
Trump potencon se nëse Rusia dhe Kina nuk do të vijnë me një marrëveshje të re, atëherë SHBA-të do të prodhojnë armët e veta.
Marrëveshja për Forcat Bërthamore me Rreze të Mesme e cila ka për qëllim mbrojtjen e aleatëve në Evropë dhe në Lindjen e Largët u nënshkrua në vitin 1987 në Washington mes SHBA-ve dhe Rusisë. /Telegrafi/