Site icon Telegrafi

Trump rriti tarifat në 50 për qind për disa produkte, vjen reagimi i kandidatit për kryeministër të Kanadasë

Kryeministri i provincës kanadeze të Ontarios, Doug Ford, deklaroi se nuk do të tërhiqet pas njoftimit të presidentit amerikan, Donald Trump për rritjen e mëtejshme të tarifave si përgjigje ndaj taksës 25 për qind të Ontarios për eksportin e energjisë elektrike.

Në një intervistë për MSNBC, vetëm një orë pas deklaratës së Trumpit, Ford theksoi se “nuk do të dorëzohemi. Do të jemi të pamëshirshëm”.

Ai konfirmoi se mund t’i ndalojë plotësisht furnizimin me energji Shteteve të Bashkuara, e cila vjen nga kjo provincë kanadeze, shkruan the hill.

Lexo po ashtu Trump rrit tarifat për importet kanadeze të çelikut dhe aluminit në 50% - si hakmarrje për tarifat e energjisë nga Ontario

Ndërkohë, Trump, përmes një mesazh në rrjetin social Truth Social, bëri të ditur se ka urdhëruar Sekretarin e Tregtisë që të dyfishojë tarifat për çelikun dhe aluminin kanadez – nga 25 në 50 për qind. Ai gjithashtu kërcënoi me shuarjen e industrisë automobilistike kanadeze nëse Ontario nuk tërhiqet nga masat dhe përsëriti deklaratat e mëparshme për “shndërrimin e Kanadasë në shtetin e 51-të të SHBA-së”.

Ford vendosi të hënën një taksë prej 25 për qind mbi eksportin e energjisë elektrike në shtetet amerikane Michigan, Minnesota dhe New York, si kundërpërgjigje ndaj barrierave tregtare të vendosura nga Trump. Kjo taksë gjeneron deri në 400 mijë dollarë të ardhura ditore për Ontarion.

Mark Carney

Qeveria federale kanadeze dhe provincat kanë qëndrim të përbashkët se nuk do të heqin dorë nga masat e tyre kundërpërgjigjëse, për sa kohë që Trump kërcënon me tarifa të reja.

Konflikti mes Trumpit dhe Fordit ka nisur që në dhjetor të vitit 2024, kur Ford paralajmëroi ndërprerjen e plotë të furnizimit me energji për 1.5 milion amerikanë në shtetet kufitare. Në atë kohë, Trump u përgjigj në bursën e New Yorkut duke thënë se “nuk i intereson fare”.

Lexo po ashtu Vazhdon ‘lufta’ amerikano-kanadeze - Ontario do ta lë në terr New Yorkun, Michiganin dhe Minnesotën

Të hënën, Ford ashpërsoi më tej retorikën, duke deklaruar se “nuk do të hezitojë të ndërpresë plotësisht energjinë”. Megjithatë, një veprim i tillë do të ndikonte edhe në prodhimin e brendshëm, pasi Ontario shet një pjesë të madhe të energjisë edhe në provinca të tjera kanadeze, shkruan bbc.

Ndryshe, kryeministri i ardhshëm i Kanadasë, Mark Carney, i ka quajtur tarifat e fundit të Trumpit “një sulm ndaj punëtorëve, familjeve dhe bizneseve kanadeze”.

Në një postim në rrjetet sociale, Carney thotë se qeveria e tij do të “sigurojë që përgjigja jonë të ketë ndikim maksimal në SHBA dhe ndikim minimal këtu në Kanada”. /Telegrafi/

Exit mobile version