Presidenti Donald Trump tha të martën se ai ka urdhëruar administratën e tij të rrisë tarifat për importet kanadeze të çelikut dhe aluminit me një shtesë prej 25%, duke e çuar totalin e tarifave në 50%, në një veprim të cilin mediat po e vlerësojnë si një “përshkallëzim i mprehtë”.
Politika e re do të hyjë në fuqi të mërkurën në mëngjes, tha Trump në një postim të Truth Social që përsëriti gjithashtu thirrjet e tij që Kanadaja të bëhet si “Shteti i 51”.
Trump tha se ai po vendoste tarifat më të fundit në përgjigje të një vendimi të qeverisë së Ontarios për të vendosur një taksë 25% mbi eksportet e energjisë elektrike në SHBA, përcjell Telegrafi.
Kjo lëvizje nga kryeministri i Ontarios, Doug Ford, u bë si hakmarrje ndaj tarifave gjithëpërfshirëse prej 25% që Trump kishte vendosur mbi importet nga Kanadaja.
“…Kjo do të hyjë në fuqi nesër në mëngjes, 12 mars”, shkroi ai.
Pak minuta pas njoftimit të Trump, Ford tha se do të mbante në fuqi kundërmasat e tij për energjinë e SHBA-së.
“Ne nuk do të tërhiqemi…”, tha Ford në MSNBC. “I kërkoj falje popullit amerikan që Presidenti Trump vendosi të ketë një sulm të paprovokuar ndaj vendit tonë, ndaj familjeve, ndaj vendeve të punës dhe është e papranueshme”. /Telegrafi/