Site icon Telegrafi

Trump refuzon të thotë nëse ka biseduar me Putinin

Donald Trump ka refuzuar të komentojë nëse ka biseduar me presidentin rus, Vladimir Putin pas largimit nga Zyra Ovale në vitin 2021.

“Unë nuk kam koment rreth kësaj, por do t’ju them se nëse kam biseduar, është gjë e mençur”, tha ish-presidenti amerikan për redaktorin e Bloomberg News, John Micklethwait, gjatë një ngjarjeje në Klubin Ekonomik të Chicagos, shkruan skynews.

“Nëse kam marrëdhënie miqësore me njerëzit, nëse mund të kem një marrëdhënie me ta, kjo është një gjë e mirë, jo e keqe për sa i përket një vendi”, tha republikani dhe shtoi se “ai ka 2000 armë bërthamore dhe ashtu kemi edhe ne”.

Kjo vjen pas publikimit të një libri të ri nga gazetari, Bob Woodward, i cili pretendon se 78-vjeçari ka biseduar me diktatorin rus deri në shtatë herë që nga largimi prej Shtëpisë së Bardhë.

Ndryshe, Woodward zbuloi gjithashtu detaje të tjera nga kulmi i pandemisë COVID-19, ku Trump thuhet se i dërgoi fshehurazi makineri të testimit Putinit.

Në një skenë, Woodward rrëfen një moment në Mar-a-Lago ku Trump i thotë një ndihmësi të lartë të largohet nga dhoma në mënyrë që “ai të mund të kishte atë që ai tha se ishte një telefonatë private me presidentin rus Vladimir Putin”. /Telegrafi/

Exit mobile version