Site icon Telegrafi

Trump: Qeveria amerikane rihapet deri më 15 shkurt

Presidenti Donald Trump njoftoi marrëveshjen për të rihapur qeverinë amerikane për tre javë, pas  mbylljes rekord të agjencive federale.

Duke folur në ditën e 35-të të mbylljes së qeverisë, gjatë një konference në Shtëpinë e Bardhë, Trump tha se marrëveshja do të mundësonte financimin e qeverisë deri më 15 shkurt.

Ai deklaroi se punonjësit e prekur të administratës, që ai i cilësoi patriotë të jashtëzakonshëm, tashmë do të marrin pagat e tyre të prapambetura. Marrëveshja nuk përfshin asnjë shumë monetare që Trump ka kërkuar për të ngritur murin në kufirin me Meksikën.

Presidenti republikan më herët ishte zotuar se s’do pranonte asnjë marrëveshje tjetër përveçse asaj që do të përfshinte 5.7 miliardë dollarë për të financuar zotimin e fushatës së tij.

Por demokratët, të cilët kontrollojnë Dhomën e Përfaqësuesve, kanë refuzuar me forcë financimin e ndërtimit të murit. Për këtë pikë, Trump tha se ligjvënësit do të negociojnë për paketën e sigurisë së kufijve. /tch/

 

Exit mobile version