Donald Trump pritet të zgjedhë senatorin amerikan Marco Rubio si sekretar të tij të Shtetit, kanë thënë burime të hënën, shkruan Reuters.
Sipas burimeve të Reuters, përcjell Telegrafi, kjo do ta bënte politikanin e lindur në Florida të parin latino-amerikan që do të shërbejë si kryediplomati amerikan sapo presidenti i zgjedhur republikan të marrë detyrën në janar.
Siç theksojnë mediat e huaja, Rubio ishte padyshim opsioni më i ashpër në listën e ngushtë të Trump për Sekretar Shteti, dhe ai në vitet e kaluara ka mbrojtur një politikë të jashtme “të fortë” në lidhje me armiqtë gjeopolitikë të Amerikës, duke përfshirë Kinën, Iranin dhe Kubën.
Por gjatë disa viteve të fundit ai ka zbutur disa nga qëndrimet e tij për t’u lidhur më ngushtë me pikëpamjet e Trump.
Presidenti i zgjedhur akuzon presidentët e kaluar të SHBA-së se e kanë udhëhequr Amerikën në luftëra të kushtueshme dhe të kota dhe ka shtyrë për një politikë të jashtme më të përmbajtur.
Administrata e re do të përballet me një botë më të paqëndrueshme dhe më të rrezikshme se sa ishte kur Trump mori detyrën në vitin 2017, me luftëra të nisura në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme dhe me Kinën duke u lidhur më ngushtë me armiqtë e SHBA-së, Rusinë dhe Iranin.
Teksa kriza e Ukrainës do të jetë kryesore në agjendën e tij, Rubio, 53 vjeç, ka thënë në intervistat e fundit se Ukraina duhet të kërkojë një zgjidhje të negociuar me Rusinë në vend që të fokusohet në rifitimin e të gjithë territorit që Rusia ka marrë në dekadën e fundit.
Ai ishte gjithashtu një nga 15 senatorët republikanë që votuan kundër një pakete ndihme ushtarake prej 95 miliardë dollarësh për Ukrainën, të miratuar në prill.
“Unë nuk jam në anën e Rusisë – por fatkeqësisht realiteti është se mënyra se si do të përfundojë lufta në Ukrainë është me një zgjidhje të negociuar”, kishte thënë Rubio për NBC në shtator. /Telegrafi/