Site icon Telegrafi

Trump pritet me protesta në El Paso dhe Dejton

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka vizituar punonjësit e urgjencës dhe të mbijetuarit e një sulmi masiv në El Paso të Teksasit, një nga dy qytetet e tronditur nga sulmet me armë që morën 31 jetë të pafajshme.

Trump dhe gruaja e tij, Melania, u pritën në aeroport nga guvernatori i Teksasit Greg Abbott dhe kryebashkiaku i El Paso, Dee Margo.

Presidenti qëndroi më shumë se një orë në Qendrën Mjekësore Universitare të qytetit duke biseduar me stafin dhe viktimat para se të vizitonte edhe Urgjencën e qytetit.

Disa protestues përgjatë rrugës mbajtën pankarta ku shkruanin “Shkoni në shtëpi. Ju nuk jeni të mirëpritur këtu!” dhe “Racizmi nuk është i mirëpritur këtu”.

Po ashtu, Trump vizitoi edhe Dejtonin në shtetin e Ohajos ku nga një tjetër sulm aty kishin mbetur të vrarë nëntë persona.

Ndryshe, banorët dhe politikanët vendës fajësojnë retorikën kundër emigrantëve të kreut të Shtëpisë së Bardhë si nxitës të sulmeve.

Në një fjalim të mbajtur një ditë pas ngjarjeve, Trump i dënoi aktet e urrejtjes, racizmin dhe ideologjinë e epërsisë së racës së bardhë mbi të tjerat.

Ndërkohë Byroja Federale e Hetimit ka njoftuar nisjen e hetimeve për terrorizëm. /KP/

Exit mobile version