Site icon Telegrafi

Trump pretendon se Nancy Pelosi e ka thyer ligjin, kur e grisi kopjen e fjalimit të tij

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump pretendon se Drejtuesja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi kur e ka grisur kopjen e fjalimit të tij, e ka thyer ligjin.

Derisa po largohej nga Shtëpia e Bardhë, për një vizitë në Karolinën e Veriut, u ka thënë gazetarëve se gjesti i Pelosit është ilegal, transmeton Telegrafi.

“Ajo e ka thyer ligjin. Ishte një dokument zyrtar, nuk lejohet, është ilegale çfarë bëri ajo”, ka thënë Trump.

Me këtë rast, Trump ka përsëritur pretendimet e bëra nga aleatët politikë Charlie Kirk të Turning Point USA, një organizatë konservatore për të rinjtë dhe Matt Gaetz, i cili u kërkoi krerëve të Komitetit të Etikës, që të fillonin një hetim për sjelljen e Pelosit.

Kur trump e përfundoi fjalimin e tij në Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan, prapa shpinës së tij, Pelosi e grisi kopjen e fjalimit. Gjithçka besohet se ka ardhur, pasi Trump refuzoi t’ia zgjaste dorën, duke e lënë në një pozitë shumë të palakmueshme.

Derisa Trump po e konsideron se ajo e shkeli ligjin, ekspertët konsiderojnë se grisja e kopjes së fjalimit të presidentit nuk është ndonjë shkelje ligji, sepse teknikisht nuk është ndonjë procesverbal qeveritar. /Telegrafi/

Exit mobile version